Depozitat e biznesit e përmirësuan rritjen gjatë vitit 2025
Depozitat e bizneseve u rritën më shpejt se një vit më parë, duke reflektuar likuiditet më të mirë dhe formalizim.
Depozitat e biznesit u rritën me ritme më të larta gjatë vitit 2025. Sipas statistikave të, në fund të nëntorit 2025 vlera e depozitave të bizneseve në banka arriti në 383.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm ishte dukshëm më i lartë se një vit më parë, kur për të njëjtën periudhë depozitat e biznesit ishin rritur me rreth 3%.
Depozitat e bizneseve përbëjnë rreth 21.3% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri, një peshë pak më e ulët se një vit më parë, kur ato zinin rreth 21.7% të totalit. Kjo tregon se depozitat e individëve kanë vijuar të rriten me norma më të larta. Në fund të nëntorit 2025, depozitat e individëve u rritën me 9.5% në terma vjetorë dhe përbënin 78.7% të depozitave totale në banka.
Në periudhën pas pandemisë, depozitat kanë ndjekur një trend rritës relativisht të fortë si për individët, ashtu edhe për bizneset. Në veçanti, gjatë pesë viteve të fundit, depozitat e bizneseve janë rritur me më shumë se 82%, duke reflektuar përmirësimin e qëndrueshëm të kapaciteteve financiare.
Arsyet e rritjes së depozitave të bizneseve
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të bizneseve shpjegohet nga përmirësimi i likuiditetit dhe i gjendjes financiare, si përgjigje ndaj rikuperimit të shpejtë të aktivitetit ekonomik, menaxhimi më aktiv i likuiditetit për mbajtjen e kostove nën kontroll dhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar.
Në një këndvështrim afatgjatë, banka qendrore vlerëson se kjo rritje reflekton edhe formalizimin dhe dixhitalizimin e ekonomisë, si dhe qasjen më të madhe të bizneseve pranë bankave. Rritja është mbështetur gjithashtu nga përmirësimet në infrastrukturën financiare, si në shtrirjen gjeografike, ashtu edhe në shumëllojshmërinë e produkteve bankare.
Struktura dhe valuta e depozitave
Struktura e depozitave të bizneseve dominohet nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, çka tregon preferencën për instrumente likuide pranë bankave. Vlerësohet se rreth 80% e depozitave të bizneseve janë likuide.
Edhe struktura valutore ka pasqyruar rritjen e shpejtë të depozitave në valutë gjatë viteve të fundit, të ushqyera nga ecuria pozitive e turizmit në vend.
Në të njëjtën kohë, dinamika e depozitave të bizneseve ndikohet në masë të madhe nga realizimi i shpenzimeve dhe deficiti buxhetor i qeverisë. Në tre vitet e fundit, buxheti ka shfaqur deficite në ulje dhe madje ka qëndruar në suficit për pjesën më të madhe të vitit, faktor që vlerësohet se mund të ketë ngadalësuar disi ritmet e rritjes së depozitave të bizneseve në periudhën 2024–2025.